Lind fëmijën e 11 te “Mbretëresha Geraldinë”! Nëna: E kam shtëpinë plot

Në një kohë ku vendi po përballet me krizë lindjesh dhe plakje me ritme të shpejta të popullsisë, ka ardhur në jetë fëmija e 11 i një çifti shqiptar. Zeid është anëtari më i ri i familjes së Fatmirës dhe Ervinit, të cilët janë prindër edhe të 8 vajzave e dy djemve të tjerë, shkruan A2 CNN.
“Zeid është bebi i 11 i mami Fatmirës e babi Ervinit dhe erdhi në jetë ashtu si edhe 10 fëmijët e tjerë të çiftit, mes përkujdesjeve së stafit tonë. Shumë urime për familjen e madhe, një rast i rrallë në kohët ku jetojmë”, shkruhet në rrjetet sociale të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
Fatmira ka treguar se të gjithë fëmijët i ka lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ku ka marrë të gjithë kujdesin e nevojshëm. Ajo shprehet se është e lumtur dhe e bekuar që ka familje të madhe, shkruan A2 CNN.
“Jam e lumtur dhe e kënaqur që kam një familje të madhe. Të gjithë më pyesin si është jeta me shumë fëmijë, unë jam e lumtur sepse e kam shtëpinë plot”, tha ajo. (A2 Televizion)





