SE KU DO T’I VEJË FILLI KËSAJ PUNE… MI DH*EFSHA TEMËN!

Ehh, Shqipëria… një katrahurë e madhe!
Nuk e kuptoj më. Kaos. Gjithçka e turbullt. Njerëz, mendime, halle, premtime… të gjitha të ngatërruara bashkë.
Dhe së fundmi, na mungonin vetëm videot e Adi Hiles. Sikur ky të ishte problemi më i madh i Shqipërisë dhe sikur, duke u marrë me videot e tij, të mund të harronim hallet e vërteta të shqiptarëve. Sikur gjithë kjo zhurmë të ishte më e rëndësishme se varfëria, papunësia, korrupsioni, emigrimi dhe mijëra halle të tjera që rëndojnë çdo ditë mbi njerëzit.
Dhe, në gjithë këtë rrëmujë, më vjen ndër mend një shprehje e bukur e aktorit të madh, Birçe Hasko, thënë shumë e shumë vite më parë:
“Se ku do t’i vejë filli kësaj pune, mi dhjefsha temën!”
E kishte shumë mirë.
Dhe pas kaq shumë vitesh, ja ku jemi përsëri. E njëjta shprehje na vjen ndër mend çdo ditë.
Trazira në punë e politikë, punë them unë, sepse disa nuk kanë as punë, pavarësisht se kryeministri me shokë e shoqe na thonë se “ka punë plot”.
Do të bënin mirë të zbrisnin ndonjëherë nga karriget e tyre, të mbathnin çizmet dhe të shkonin të shikonin se çfarë bëhet me popullin.
Jo me atë popullin që njohin ata.
Por me popullin e vërtetë.
Me atë që mezi nxjerr një ditë pune për të çuar në shtëpi një bukë për fëmijët. Me atë që mendon çdo ditë si do t’ia dalë me ushqimin, me faturat, me ilaçet, me shkollën e fëmijëve… dhe jo se kur do të blejë një makinë të re apo ku do të shkojë me pushime.
Eh… ç’të them?!
Kam aq shumë për të thënë, sa ndonjëherë të përzihen të gjitha bashkë dhe nuk arrin dot të shprehësh atë që ke në mendje.
Dhe ne që gjoja punojmë, marrim një rrogë që nuk ia vlen as ta tregosh. Na vjen zor nga vetja.
Marrim aq pak, sa ndonjëherë të shkon mendja të bësh llogarinë: sa shpenzohet për qenin e njërit prej atyre që na kanë qeverisur pas viteve ’90-të?
Qenit i bëhet një jetë luksi, ndërsa njeriu që punon gjithë ditën numëron lekët për të blerë bukën.
Llogarinë bëjeni vetë tani.
Dhe ndërkohë dëgjojmë fjalime të mëdha se si Shqipëria është bërë “lule”.
Po ku është kjo lule?!
Në një vend që i ka të gjitha.
Ka turizëm. Ka bujqësi. Ka blegtori. Ka naftë, gaz…dreqin e shjtanin.. ka det, male, lumenj, tokë pjellore dhe njerëz që dinë të punojnë.
Por ne prapë nuk kemi asgjë.
Prapë jemi në mëshirë të fatit.
Fermeri nuk ndihmohet. Punëtori mezi ia del. I papuni sorollatet rrugëve. Hallexhiu endet nga një zyrë në tjetrën për një ndihmë, për një dokument, për një të drejtë që duhet ta kishte pa iu lutur askujt.
Dhe kur të bie halli, atëherë fillon një tjetër histori.
Sepse në këtë vend, edhe kur ke të drejtë, duhet të luftosh për ta marrë atë.
Dhe pastaj dalin në televizor, buzëqeshin, flasin me vetëbesim dhe na thonë se gjithçka po shkon mirë.
Se Shqipëria po zhvillohet.
Se ka punë.
Se njerëzit janë më mirë.
Ndoshta Shqipëria që shohin ata është një Shqipëri tjetër.
Sepse Shqipëria që shohim ne është ajo e njerëzve që punojnë dhe mezi jetojnë. E fermerëve që prodhojnë dhe nuk dinë ku ta shesin prodhimin. E familjeve që bëjnë llogaritë deri në qindarkën e fundit. E të rinjve që shohin aeroportin si rrugëdalje dhe jo si vend ku nisen për pushime.
Dhe në fund, pas gjithë këtyre viteve, pas gjithë këtyre premtimeve, pas gjithë këtyre fjalimeve…
Prapë kthehemi tek ajo shprehja e vjetër.
Ajo që duket sikur është bërë himni ynë i përditshëm:
“Se ku do t’i vejë filli kësaj pune… mi dhjefsha temën!”




