Mjerimi i ekraneve shqiptare: Gazetarë të keqpaguar në terren, milionerë në studio që bëjnë moral me hallet e të varfërve

Pas çdo proteste, pas orëve të tëra transmetimesh të drejtpërdrejta nga gazetarë që prej ditësh punojnë në kushte të vështira, mes gazit lotsjellës, dhunës dhe lodhjes, shfaqen bojaxhinjtë e Edi Ramës.
Dikush në shesh, dikush në studio, dikush në podcast. Të gjithë me të njëjtën pyetje brilante për protestuesin adoleshent: «Çfarë kërkon nga Edi Rama?»
Seriozisht? Po çfarë prisni t’ju përgjigjet një adoleshent i zemëruar? T’ju propozojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor? Reformën kushtetuese? Apo një platformë të detajuar për zhvillimin ekonomik të vendit?
Ju as e keni idenë se si jeton një adoleshent në periferi të Tiranës. Nuk dini çfarë hallesh ka në shtëpi, çfarë mundësish i mungojnë, çfarë e zemëron dhe çfarë e ka nxjerrë në rrugë. Dhe as ju intereson shumë ta dini.
Sepse halli juaj janë klikimet, reklamat dhe audienca. Madje, ju dhe ata të politikës me të cilët ndani studiot, prej vitesh i trajtoni hallet e njerëzve të periferive si mundësi për të fituar ndikim, para dhe vota.
Dhe pastaj, sapo mbyllet protesta, fillojnë shfaqjet tuaja live. Me një ngutje të çuditshme për të marrë secili pjesën e vet të vëmendjes, e ktheni zemërimin, dhunën dhe dëshpërimin e njerëzve në material për spektaklin e radhës. Sikur ajo që ka rëndësi nuk është çfarë ndodhi dhe pse ndodhi, por sa mund të përfitoni ju prej saj.
Nëse doni vërtet të kuptoni çfarë hallesh kanë shqiptarët, fillojeni nga njerëzit që punojnë për ju. Nga reporterët që prej gjashtë ditësh rropaten rrugëve të Tiranës, që marrin gazin në fytyrë, që punojnë me orë të zgjatura dhe që shpesh paguhen me paga që ju nuk do t’i pranonit as për një dalje në studio.
Por mos u ndalni te reporterët. Pyeteni edhe kameramanin që i ndjek pas për orë të tëra, me kamerën mbi supe, mes përplasjeve dhe gazit lotsjellës. Pyeteni teknikun e pultit që qëndron me orë të tëra në regji, që mban transmetimin në këmbë ndërsa ju bëni spektakël në ekran. Pyetini sa paguhen, si jetojnë, sa orë punojnë dhe çfarë u mbetet në fund të muajit.
Sepse hallet e tyre janë shumë më afër halleve të atyre adoleshentëve që ju merrni në pyetje sesa halleve tuaja.
Dhe nëse keni vërtet mendere, në vend që t’i kërkoni llogari një 15-vjeçari të zemëruar se çfarë kërkon nga kryeministri, shkoni dhe kërkojini llogari vetë Edi Ramës.
Pyeteni atë se çfarë kërkojnë shqiptarët dhe përse kanë dalë në rrugë.
Me të e gjeni gjuhën shumë më lehtë.
/vna.al







