Filmi ikonë i kinematografisë shqiptare “Partizani i vogël Velo”, do të shfaqet premierë të enjten në Teatrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA).

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale ndau videon promovuese të shfaqjes së filmit në DPA.

“Ky ripunim mjeshtëror i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), të një vepre mjeshtërore të Xhanfise Kekos, Anastas Kondos dhe Natasha Lakos, vjen si dhuratë për të gjithë nostalgjikët e kinemasë në këtë 80-vjetor të Çlirimit”, shkruan Rama.

Ky është filmi i katërt në radhë kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare, në kuadrin e një sezoni artistik, i cili përmes kinematografisë synon t’i njohë të rinjtë me të shkuarën e vendit.

“Partizani i vogël Velo”, realizimi i regjisores Xhanfise Keko më 1980-n dhe i restauruar së fundmi nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), bën pjesë në repertorin e filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në Teatrin dhe Kinemanë Verore pranë DPA-së, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit.

Jetësimi i kësaj nisme vjen në sajë të bashkëpunimit të DPA-së me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe AQSHF-në.

Filmi flet për të voglin Velo, i cili mezi pret të rritet dhe të bëhet partizan i vërtetë. Kjo dëshirë e tij forcohet edhe më shumë pas vrasjes së të atit nga armiqtë dhe ai insiston që ta zëvendësojë atë me çdo kusht. Disa herë ai nuk pranohet në radhët e partizanëve për shkak të moshës së tij të vogël dhe të “pushkës që është më e gjatë se ai”. Por Velo nuk jepet. Më në fund ai arrin të pranohet në radhët e partizanëve. Në film kanë interpretuar aktorët Petro Papakosta në rolin e Velos, Kadri Roshi në rolin e Xha Brahos, Pandi Raidhi në rolin e komandant Banit, Stavri Shkurti në rolin e Sinanit, babit të Velos, etj.

Kalendari i aktiviteteve të Kinemasë Verore pranë DPA-së do të zgjasë deri në muajin nëntor. Repertori i filmave të përzgjedhur do të risjellë në vëmendjen e publikut kryeqytetas disa prej realizimeve artistike të kinematografisë shqiptare. Mes 10 filmave që do të shfaqen, si një përkujtesë të betejës së vendit për çlirimin nga pushtuesit nazifashist, bëjnë pjesë: “Partizani i vogël Velo”, “Mëngjese lufte”, “I teti në bronz”, “Njeriu me top”, “Malet me blerim mbuluar” etj./atsh/KultPlus.com

Leave a Reply

Related Posts