Kanceri i gjirit në Fier, rriten rastet tek gratë e reja, por edhe tek burrat

Numri i rasteve të kancerit të gjirit në Fier po shënon rritje nga viti në vit. Sipas onkologes pranë Spitalit Rajonal të Fierit, Anisa Mone, grupmosha më e prekur është 50 deri në 70 vjeç, ndërsa shqetësues është shtimi i rasteve edhe tek vajzat e reja.
Por sëmundja nuk prek vetëm gratë. Sipas mjekes, në Fier janë diagnostikuar edhe tre burra me kancer gjiri, fatkeqësisht në faza të avancuara.
Ndër faktorët kryesorë të riskut përmenden jeta sedentare, kequshqyerja, lindja në moshë të madhe dhe faktorët gjenetikë.
Mjekja thekson se diagnostikimi i hershëm është vendimtar, pasi kur kanceri i gjirit zbulohet në fazat e para, në rreth 90% të rasteve është i shërueshëm. Për këtë arsye, kontrollet periodike dhe mamografia mbeten të domosdoshme.
Vetëm gjatë periudhës janar-shtator, në Fier janë regjistruar rreth 400 raste me sëmundje tumorale, nga të cilat 65 janë raste me kancer gjiri.
Mesazhi i mjekëve është i qartë: kontrolli në kohë mund të shpëtojë jetë.





