Vendi

Nga Vladimir Muçaj: Një shkarkim që nuk ndodhi!

Një shkarkim që nuk ndodhi!

Lajmi u shfaq në disa portale si ato “informacione të brendshme” që nuk kanë nevojë për burim. E lexova “lajmin” duke u kthyer nga Athina për Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, qenkësh shkarkuar. Pak rreshta, asnjë emër që mban përgjegjësi, një ton i sigurt që e zëvendëson provën. Më pas Newsalbania.al, duke iu referuar burimeve zyrtare, e bëri të qartë se Hitaj është në detyrë dhe e vazhdon punën me intensitetin e duhur. Lajmi ishte i stisur. Dhe pikërisht ky është fakti që duhet lexuar me vëmendje, më shumë se vetë përgënjeshtrimi.
Një shkarkim i sajuar nuk ka të bëjë me emrin e një njeriu. Ka të bëjë me atë që emri përfaqëson. Në Shqipëri, ndryshimi në krye të policisë nuk është kurrë thjesht çështje administrative. Lexohet si sinjal: për drejtimin e luftës kundër krimit, për balancat brenda pushtetit, për atë që është e lejuar dhe e palejuar. Kush e lëshon një lajm të tillë nuk synon të informojë, por të provojë terrenin. Nëse nuk reagon kush, ngrihet hipoteza. Nëse reagon dikush, matet pesha e tij.
Nuk kam prova se kush e nisi. Kam, megjithatë, një hipotezë që del nga eksperienca e viteve dhe jo nga fantazia: lajmi i shërben atyre për të cilët një polici e qëndrueshme është një siklet. Hitaj konsiderohet nga shumëkush si një nga drejtuesit më të spikatur të institucionit, dhe një drejtues i tillë ka gjithmonë një rreth të pakënaqurish. Në një vend ku krimi i organizuar dhe politika kanë ndjekur shpesh rrugë që takohen, nuk është e çuditshme që disa t’a duan të larguar nga posti. Të dëshirosh një largim dhe ta shpallësh si të ndodhur janë dy gjëra të ndryshme, por rruga nga njëra te tjetra, në mediat tona, është shpesh çështje një telefonate dhe një butoni “publiko”.
Këtu hyn në lojë një ekonomi e vogël dhe e turpshme. Një portal që ripërsërit lajmin pa e verifikuar nuk paguan asgjë kur del i gabuar. Nuk ka sanksion, as ndëshkim, madje as rrëfim. Kostoja e së pavërtetës është zero, ndërsa përfitimi, qoftë në klikime, qoftë në mirënjohjen e dikujt, është i prekshëm. Në një treg të tillë, ata që shesin lajm të rremë shesin bashkë me të edhe çfarë morali u ka mbetur, nëse e kanë pasur ndonjëherë. Shitësi shpesh nuk ka çfarë humbet. Humbës është lexuesi, por edhe vetë institucioni, që detyrohet të shpenzojë energji për të provuar që është ende aty.
Përgënjeshtrimi në këtë rast erdhi nga burime zyrtare dhe kjo është mënyra e duhur. Por vlen të vihet re se përgënjeshtrimi mbetet gjithmonë më i ngadalshëm dhe më pak i shikuar se lajmi që korrigjon. Gënjeshtra udhëton e lehtë; e vërteta kërkon kartë identiteti. Institucionet që e kuptojnë këtë reagojnë shpejt dhe pa nervozizëm. Ato që heshtin, i lënë zërat të mbushin vakuumin.
Në fund, ky episod nuk na tregon se Hitaj është aty apo jo. Kjo është e qartë. Na tregon se në Shqipëri një post i rëndësishëm shtetëror mund të “shkarkohet” me tastierë, dhe se e vetmja pengesë për ta bërë realitet është ndershmëria e atij që e merr lajmin në dorë. Pak a shumë, kjo është gjendja jonë: sistemi qëndron aq sa qëndrojnë ata që refuzojnë ta përhapin. E si përmbyllje deshiroj të them se sipas te gjitha vëzhgimeve dhe opinioneve të qindra- mijëra në terren Skēnder Hitaj në krye të Policisë së Shtetit është ndër më të mirët e viteve të fundit! Një drejtuesi të sukseshëm nuk mund ti “pritet” mandati drejtimit! Kështu duhet të ndodh gjithmonë përtej emrave në drejtim!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button