Kushërira dhe njëkohësisht komshija e familjes Balla në Durrës ka reaguar lidhur me krimin në familje. Sipas saj autorin dhe babain e tij i ka kushërinj dhe se dyshja nuk kanë patur më parë konflikte.
E afërmja shprehet më tej se Esmeraldi dhe Enveri jetonin bashkë në një shtëpi.
“Autorin e kam kushëri të parë, edhe Enverin! Nuk kanë patur konflikte, punonin bashkë, shisnin qumësht, bënin Kurban për Bajram. Mbrëme erdhi policia këtu, e ka hedhur në një pus atje, pa ujë. Jetonin bashkë. Tani bënë dasmë u kënaqëm, dy çuna i ka në Itali, një është kthyer. Jam shokuar, s’ka pasur konflikte, s’kemi dëgjuar gjë. Enverit i vdiq gruaja, u martua sërish,. Mori një grua shtëpiake. Dëgjuam që ka humbur, sikur ka vjedhur 75 milionë lekë në shtëpi.” u shpreh e afërmja.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku 62-vjeçari Enver Balla i raportuar sot nga familjarët i zhdukur prej 20 ditësh, është vrarë nga djali i tij, Esmerald Balla, i cili më pas ia ka hedhur trupin në pus. Policia e Durrësit ka arritur që të zbardhë ngjarjen e rëndë pasi ka patur dyshime që në fillim për krim brenda familjes.
Djali e ka pranuar krimin para policisë, ndërsa ka thënë se e kishte vrarë të atin pasi ky i fundit i kishte marrë shuma parash. Sipas raportimeve, hetuesit kanë përgjuar komunikimet telefonike dhe mesazhet e autorit ku më pas kanë zbardhur ngjarjen e rëndë.