Mbrëmjen e së martës, Noizy bëri edhe një reagim në rrjetet sociale lidhur me sulmin ndaj personazhit të TikTok-ut, Medi Isenit. Në të ai pretendon se nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë. Reperi garantoi se nuk është në arrati, por po e ndjek çështjen me avokatët e tij.
Ai shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë pasi e cilëson veten “viktimë të kallëzimit të rremë”.
“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatikë si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero!
Dua ta nis këtëreagim me një ndjesë të thellë ndaj atyre që janë shqetësuar nga reagimi im. Kjo ka ardhur si pasojë e indinjatës për një kallëzim të rremë e të padrejtë ndaj meje, pasi kurrë nuk jam përballur me situata të tilla e për pasojë fatkeqësisht nuk kam reaguar në nivelin që do të doja. Edhe njëherë, ndjesë.
Mirëkuptoj edhe median që bën punën e saj dhe i kërkoj ndjesë nëse janë keqkuptuar nga reagimi im i nxituar.
Sa më lart dua të bëj me dije që garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë.
Bashkë me studion e avokatisë të kontraktuar nga unë, do kontribuojmë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj meje dhe sqaruar këtë ngjarje ku unë jam viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk kam asnjë lidhje.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin e përkrahjen dhe kërkuar ndjesë për këtë situatë të shëmtuar ku më kanë përfshirë”.