Life&Gossip

Mbush 117 vjeç gruaja më e vjetër në Shqipëri: Pa asnjë sëmundje e pa ilaçe

Në fshatin Ferras të Beratit, jeton ajo që pa diskutim është gruaja më e vjetër në Shqipëri. Qamile Marra ka festuar së fundmi 117-vjetorin e saj të lindjes mes dashurisë dhe kujdesit të familjarëve, të cilët me shaka e me zemër e urojnë të bëhet edhe 200 vjeç.

E lindur në një tjetër epokë, nënë Qamilja ka rritur 7 fëmijë, ka punuar gjithë jetën në bujqësi dhe sot gëzon fatin e rrallë të shohë e të jetojë ndër 5 breza të familjes së saj.

Ajo që e bën edhe më të jashtëzakonshme historinë e 117-vjeçares është gëzimi i një shëndeti të plotë. Momentalisht, nënë Qamilja nuk vuan nga asnjë sëmundje dhe nuk merr asnjë lloj ilaçi.

Përtej çdo parashikimi për moshën që mban mbi supe, ajo refuzon të rrijë duarkryq. Rutina e saj ditore do të habiste këdo: ngrihet çdo mëngjes, merr fshesën për të fshirë oborrin e shtëpisë private dhe kujdeset me përkushtim për pulat. Sekretet e këtij vitaliteti duket se lidhen me jetesën e shëndetshme, ku ushqimet kryesore që konsumon janë mishi i shpendëve dhe bulmeti i siguruar nga vetë ferma e tyre familjare.

Nusja e shtëpisë, Raimja, shprehet se të jetosh dhe të kujdesesh për një vjehrrë 117-vjeçare është sa përgjegjësi, aq edhe një bekim i madh, duke konfirmuar se nënë Qamilja mbetet ende aktive dhe e paepur.

Sot, nënë Qamilja jeton nën kujdesin e djalit të saj, Hysenit, dhe nuses së tij, Raimes. Megjithëse edhe vetë Hyseni i ka kaluar të 80-at dhe përballet me moshën e thyer e problemet e veta të shëndetit, përkushtimi i tij ndaj nënës është një dëshmi e rrallë e dashurisë.

Megjithatë, përtej gëzimit dhe vitalitetit, familja përballet me vështirësi të shumta ekonomike. Djali e ka të pamundur të mbulojë të gjitha shpenzimet e jetesës vetëm me një pension minimal prej 9 400 lekësh, ndërsa të dy kujdestarët e saj janë vetë në moshë pensioni.

Për këtë arsye, familja dhe vetë 117-vjeçarja i bëjnë një apel publik institucioneve dhe shtetit shqiptar për akordimin e një pensioni special, në mënyrë që gruaja më e vjetër e vendit të garantojë një pleqëri me dinjitet dhe kushtet e nevojshme jetësore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button