“Zbrit nga makina, ose do të digjem me benzinë”, krimi në Fier ishte paralajmëruar; zbardhet dëshmia e Rozalindës: “Do t’ju shuaj si fis”

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Fier në muajin korrik tronditi opinionin publik, pasi Refit Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij dhe vrau me armë zjarri prindërit e saj, ndërsa 23-vjeçaren e mbajti peng për disa orë.
Pas negociatave të gjata me policinë, ai pranoi ta lironte Rozalinda Plakën dhe më pas kreu vetëvrasje brenda automjetit të tij.
Sipas familjarëve të autorit, konflikti kishte nisur për shkak të një shume të konsiderueshme parash, të cilën, sipas tyre, Buzi ia kishte dhënë më herët ish-partneres dhe pretendonte se ajo nuk ia kishte kthyer.
Megjithatë, nga të dhënat e dosjes hetimore rezulton se mes çiftit kishte pasur një histori të gjatë konfliktesh dhe përndjekjeje, që i kishte paraprirë krimit të rëndë.
Sipas dosjes së Prokurorisë, çifti ishte ndarë pas një periudhe të gjatë së bashku, ndërsa Buzi i kërkonte vazhdimisht të resë që të ribashkoheshin.
23-vjeçarja e kishte denoncuar edhe më herët, gjatë vitit 2025, për përndjekje. Për këtë çështje, 35-vjeçari kishte vuajtur disa muaj burg, por edhe pas daljes kishte vijuar përpjekjet për t’u rikthyer me ish-partneren, pavarësisht refuzimit të saj.
Sipas materialeve hetimore, kontaktet ndaj së resë nisën sërish më 19 mars, ditën kur Buzi doli nga burgu pas përfundimit të dënimit. Megjithëse ndaj tij ishte në fuqi një urdhër mbrojtjeje, ai dyshohet se e kontaktonte herë pas here nga numra të ndryshëm telefoni.
Në kallëzimin e bërë më 22 prill, 23-vjeçarja ka treguar se ish-i fejuari i dilte vazhdimisht përpara pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, ku ajo kryente praktikën si infermiere, si edhe në ambientet përreth.
Në një prej rasteve, sipas dëshmisë së saj, Buzi e kishte marrë në automjetin e tij tip “Volkswagen” dhe e kishte çuar drejt një hoteli në Novoselë. Kur ajo kishte refuzuar të zbriste nga makina, ai e kishte kërcënuar se do të digjte veten me benzinë.
“Zbrit nga makina dhe hyjmë që të vërtetoj se nuk të prek me dorë pa dëshirën tënde. Ose zbrit, ose unë do të djeg veten me benzinë para teje… Unë nuk jam kafshë dhe ato veprime që kam bërë para se të futesha në burg i kam bërë sepse nuk kam qenë mirë mendërisht”, mësohet të ketë deklaruar ai, sipas dëshmisë së 23-vjeçares.
Më tej, sipas kallëzimit, Buzi i kishte vendosur disa kushte ish-partneres, duke i kërkuar që, edhe në rast ndarjeje, të mos kishte një person tjetër në jetën e saj dhe të vazhdonte ta takonte.
Në dëshminë e saj, e reja ka deklaruar se ai e kishte kërcënuar edhe familjen:
“Nëse nuk pranon asnjë nga këto kushte dhe do ndarje, atëherë do t’ju zhduk të gjithëve si fis dhe do të mbajnë përgjegjësi familjarët e tu.”
Ajo ka deklaruar gjithashtu se Buzi i kishte thënë: “Do t’ju shuaj si familje, do të vras prindërit.”
Nëna e 23-vjeçares kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë, duke ngritur shqetësimin se sjellja e ish-të fejuarit po ndikonte rëndë në jetën, shëndetin dhe arsimimin e vajzës së saj.
I marrë në pyetje nga grupi hetimor pas një arrestimi të mëparshëm, Refit Buzi kishte pranuar se e kishte kontaktuar ish-partneren, edhe pse kishte dijeni për ekzistencën e urdhrit të mbrojtjes.
“E kam kontaktuar sepse e dua dhe kam ende ndjenja për të. Dua të lidhem përsëri. Nuk kam mundur ta lë të qetë”, mësohet të ketë deklaruar ai para policisë.
Pas kallëzimit, Buzi ishte arrestuar sërish nga Policia e Fierit. Gjatë hetimeve ishin sekuestruar edhe telefonat celularë të palëve, ku, sipas dosjes, janë evidentuar mesazhe, telefonata dhe komunikime zanore me përmbajtje kërcënuese dhe fyese./ top channel



