Politikë

“Mos prisni që historia t’ju gjykojë nesër”, Gentian Koçi thirrje deputetëve: Ndaloni dhunën dhe merrni përgjegjësi për krizën

Gentian Koçi ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, përmes të cilit u drejtohet deputetëve të brezit të tij, nga Qarku i Fierit dhe e gjithë Shqipëria, duke i bërë thirrje të lënë mënjanë interesat partiake dhe të angazhohen për zgjidhjen e krizës.

Në mesazhin e tij, Koçi thekson se asnjë mandat apo interes politik nuk mund të jetë më i rëndësishëm se jeta e qytetarëve dhe e ardhmja e të rinjve shqiptarë.

Ai u kërkon deputetëve, pavarësisht forcës politike që përfaqësojnë, të dalin publikisht, të kërkojnë ndalimin e dhunës dhe të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar.

Koçi nënvizon se heshtja e politikës përballë zhvillimeve të fundit përbën një përgjegjësi që nuk mund të shmanget, ndërsa apelon që të mos lejohet përballja mes qytetarëve dhe policisë.

Sipas tij, zgjidhja e krizës i takon politikës, ndërsa të rinjtë duhet të kenë mundësinë të protestojnë pa u përballur me dhunë.

Në fund të reagimit, Koçi u bën thirrje deputetëve të zgjedhin përgjegjësinë ndaj vendit mbi interesat e pushtetit, duke theksuar se mandatet dhe pushtetet janë të përkohshme, por qëndrimi i secilit përballë momenteve të vështira mbetet pjesë e historisë.

“Mos prisni që historia t’ju gjykojë nesër. Bëni sot atë për të cilën ajo do t’ju nderojë!”, përfundon mesazhi i Gentian Koçit.

Postimi :

🇦🇱 NJË THIRRJE NGA ZEMRA, PËRTEJ ÇDO BINDJEJE POLITIKE!

U drejtoj një thirrje publike të gjithë deputetëve të brezit tim, nga Qarku i Fierit dhe e mbarë Shqipëria, qofshin të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste apo çdo force tjetër politike!

Asnjë karrige, asnjë mandat dhe asnjë pushtet nuk vlen më shumë se jeta e një shqiptari! Asnjë interes politik nuk mund të qëndrojë mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe të rinisë së saj!

Sot keni në dorë një mundësi që historia nuk ua jep shpesh njerëzve: të mbaheni mend si njerëz që patën guximin të vendosnin atdheun, rininë dhe ndërgjegjen mbi çdo interes partiak!

Sido që të përfundojë kjo protestë, marrëdhënia mes politikës dhe qytetarëve nuk do të jetë më e njëjta. Heshtja përballë asaj që po ndodh është një përgjegjësi që askush nuk mund ta shmangë.

Nderojeni mandatin që ju ka besuar populli! Dilni publikisht, kërkoni ndalimin e dhunës dhe merrni përgjegjësinë për zgjidhjen e kësaj krize, përpara se të jetë tepër vonë!

Kjo është një thirrje zemre, nga një njeri i brezit tuaj. Kemi të njëjtat shqetësime për fëmijët, familjet dhe Shqipërinë tonë. Ndoshta guximi juaj mund të zgjojë edhe ndërgjegjen e politikës së vjetër!

Mos qëndroni në heshtje! Mos dilni kundër rinisë me deklarata politike! Mos lejoni që shqiptarët të vendosen përballë njëri-tjetrit. Policia nuk duhet të mbajë presionin e një krize që i takon politikës ta zgjidhë, ashtu si rinia nuk duhet të përballet me dhunë për të drejtën e saj për të protestuar.

Sot nuk ju kërkoj të zgjidhni mes së majtës dhe së djathtës. Ju kërkoj të zgjidhni mes interesit të pushtetit dhe përgjegjësisë ndaj Shqipërisë!

Dhe kur një ditë fëmijët tanë të na pyesin se ku ishim kur Shqipëria kishte nevojë për ne, secili duhet të ketë guximin t’i shohë në sy dhe t’u përgjigjet me dinjitet.

Sepse mandatet mbarojnë, pushtetet bien, karriget ndërrohen, por historia nuk harron!

🇦🇱 Mos prisni që historia t’ju gjykojë nesër. Bëni sot atë për të cilën ajo do t’ju nderojë!

https://www.facebook.com/share/r/1FPXqTQ7gr/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button