Kjo javë ka nisur me mot të freskët, krahasuar me ditët e tjera të gushtit, por si do të mbyllet ky muaj?
Meteorologia Tanja Porja u shpreh sot se temperaturat mund të shkojnë sërish në 40 gradë, duke nisur nga dita e enjte.
“Moti sot është i freskët dhe reshjet janë prezentë në zonat lindore, rrebeshe afatshkurtra, stuhi breshëri, kryesisht në lindje dhe juglindje të territorit shqiptar. E njëjta situatë do të vijojë sot, po ashtu edhe ditën e martë. Të mërkurën, reshjet do të jenë më të pakta, ndërsa nga e enjtja e në vijim, sërish, kthjellët dhe shumë nxehtë.
Sot, termometri shënon maksimumi 32 gradë celsius, ndërsa në veri e veriperëndim do të jetë mjaft freskët. Nga e enjtja e në vazhdim, temperaturat mund të shkojnë sërish deri në 40 gradë”, u shpreh Tanja Porja.
Ndërkohë, meteorologia qetëson ata që janë sot në plazh e gjatë dy ditëve të ardhshme, duke thënë se reshjet lokale do të jenë në zonat lindore. /A2 CNN