Poezi nga Charles Bukowski

nuk e dija nga vija
apo ku isha duke shkuar.
kisha humbur.
e gjeja veten ulur
në porta të huaja
për orë të tëra
pa menduar
pa lëvizur
derisa të më thoshin
të largohesha prej aty.
nuk dua të them se isha
i marrë
apo i pamend.
ajo çka dua të them është
që s’kisha interesa.
s’më bëhej vonë fare
nëse përpiqeshit
të më vrisnit.
s’do t’ju kisha ndalur.
po jetoja një ekzistencë
që s’do të thoshte asgjë
për mua.
gjeja vende ku rrija
dhoma me qira, bare, burgje
gjumi dhe moskokëçarja
ngjanin të vetmet
mundësira
pjesa tjetër dukej
e mohuar nga ndjesia.
njëherë mbeta gjithë natën
duke vështruar Misisipin.
nuk e di pse.
lumi rridhte aty
bri meje
dhe
e vetmja gjë që kujtoj
ështe se qelbej erë.
gjithherë më dukej
sikur isha mbi një karrocë poste
që përshkonte vendin
drejtpërdrejt nga diku.
vështroja jashtë
nga një dritare e ndotur
në kotësinë e asgjësë.
e dija përherë me saktësi
sa para kisha me vete
për shembull:
një kartëmonedhë dyshe
dhe dy kartmonedha njëshe
në kuletë
një monedhë njëzet e pesëshe
një dhjetëshe
dhe një dy qindarkëshe
në xhepin e djathtë para.
s’kisha dëshirë të flisja me askënd
dhe s’doja të më fliste askush.
njihesha si i papërshtatshëm
njëfarë tuhafi
haja pak
por çuditërisht i fortë
njëherë, kur punoja në një fabrikë,
disa të rinj, djem të paturp,
po provonin të ngrinin
një pjesë të rëndë makinerie
nga dyshemeja.
asnjëri s’po ia dilte.
“hej, Hank, provoje ti!”
më thanë duke u tallur.
u afrova, e ngrita
e vendosa përsëri në tokë,
dhe u ktheva në punë.
fitova respektin e tyre
nuk e di pse
por nuk e doja.
ndonjëherë
ulja grilat e dritare sime
dhe rrija në shtrat
një javë apo më shumë.
isha në një udhëtim të çuditshëm
por më ishte mohuar
ndjesia.
s’kisha ide
as projekte
flija
s’bëja gjë tjetër
veç flija dhe prisja.
nuk ndihesha vetëm
nuk vuaja nga viktimizmi
vetëm se isha i ngatërruar
në një jetë
në të cilën nuk ia dilja të gjeja
asnjë ndjenjë.
atëherë
isha një djalosh
prej njëmijë vjetësh.
sot
jam një plakush
që pret të lindë.

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts