Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ironizuar ashpër opozitën gjatë një fjalimi në Berat, duke u ndalur veçanërisht tek kandidati i PD-së për këtë qark, Eno Bozdo. Duke folur për zgjedhjet e 11 majit, Rama e cilësoi Bozdon si një “vazo arkeologjike” dhe një “qyp pa vlerë”.
Me nota humori, Rama tha se nuk do ta vendoste as si fatorino, e jo më ta pranonte si deputet.

“Ka ca emra këtu nga krahu tjetër që as i kam dëgjuar dhe as i njoh. Po bisedoja dhe me Ervin Demon se kë kishin ata. Ata, këneta, kanë një Eno, një vazo arkeologjike që nuk e di nga e kanë gjetur për ta bërë deputet. Një qyp arkeologjik, pa vlerë, as fatorino nuk e vë unë atë,” u shpreh Rama.
Ai vijoi duke kritikuar përzgjedhjen e përfaqësuesve të PD-së dhe e quajti Bozdon një “buf të rrjedhur”, ndërsa u bëri thirrje votuesve të mos e “harxhojnë votën kot”.
“Ndërkohë që tani ke një votë dhe do që ta harxhosh për bufin që ka rrjedhur prej kohësh? Në vend ta harxhosh për financimet për ferma e bujqësi… Mos të torrollisemi me Enot dhe për Enot e arkeologjisë politike më 11 maj, se ne votat tona i kemi, por kjo është mundësia historike,” përfundoi Rama.


















